Nata e ustikës
Petro MARKO
Në romanin “Nata e Ustikës” Petro Markoja rrëfen një fragment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Evropë giatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit XX – pra para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1940 Petro Markoja u kthye nga Lufta e Spanjës.
Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë dhe u internua së bashku me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë).
Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos, në mesin e mijëra të burgosurve, edhe grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit.
Prej këtej e merr subjektin e tij romani prej 380 faqesh “Nata e Ustikës”. Rrëfimi në këtë roman karakteristik për stilin e Petro Markos (dinamik, i drejtpërdrejtë), arrin ta fusë dhe ta ambientojë lexuesin në botën e kampit që në 20 faqet e para të veprës. Rrëfimi ndjek dy linja narrative: atë të terrorit të ushtruar ndaj të burgosurve, përkatësisht organizimin, vetorganizimin e brendshëm të të burgosurve për t’i qëndruar e rezistuar dhunës, dhe linja intime, ajo e dashurisë ndërmjet Andreas dhe sllaves së burgosur Sonjës.