Botimet Princi

Vepra 1 : Poezia

€22,00

Zef ZORBA

 

Vepra 1: Poezia është menduar që të përfshijë gjithë lëndën poetike të mbrujtur nga Zef Zorba, si krijimtarinë vetjake, ashtu edhe poezinë e shqipëruar prej tij nga poetë të ndryshëm që përzgjodhi. 

Vepra botohet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së autorit.

Ajo ndahet në dy libra: libri i parë, Buzë të ngrira në gaz, përmbledh poezinë e krijuar nga Zorba dhe libri i dytë, ...e ndonjë varg nga poetë të tjerë..., përfshin poezinë e përkthyer nga ai. Librat janë konceptuar si më vete, por që mbështillen nga një veshje e përbashkët, mbulesa. Ky lloj hartimi u mendua si i tillë nga një pikëpamje praktike, duke pasur parasysh edhe entuziastin e poezisë, edhe studiuesin e saj. 

Në librin e parë, që përkon me botimin e tretë të librit Buzë të ngrira në gaz, përveç poezive që janë futur në botimet e mëparshme, janë shtuar poezi që botohen për herë të parë, të cilat janë gjetur viteve të fundit nga bijat e tij. Një pjesë prej këtyre poezive janë përkthime të krijimeve të Zorbës të bëra në italisht prej tij. Pjesa tjetër janë disa poezi që puqen me fillimet, udhën poetike dhe fundin e krijimtarisë së tij. Këto poezi të shtuara i janë bashkëngjitur strukturës së Librit të krijuar nga Zorba, duke ndjekur rendin kronologjik. Kësisoj,  janë grupuar në ciklin me emërtesë editoriale “Zanafilla” tri poezitë më të hershme, të cilat janë shtuar para ciklit "Elemente".

Po ashtu, është shtuar një cikël me emërtesë editoriale “Përmbyllja” pas ciklit të fundit "Në zgrip". Në të janë futur dy poezi të pabotuara më parë, si edhe “Baladë dritash për Lalin”. Kjo e fundit u përfshi në këtë cikël ngase u shtua në botimin e dytë të librit Buzë të ngrira në gaz (Princi 2010) dhe nuk ka qenë brenda Librit (shënimi 1).

Pjesa tjetër e poezive që shfaqen së pari në këtë botim, janë futur në trupin e cikleve ekzistuese, në përputhje me rendin kronologjik. Gjithë renditja e poezive në këtë botim është bërë duke marrë për bazë Librin, si dhe u krahasuan poezitë e gjetuara në Fletore (shënimi 1) dhe jashtë tyre, në formën e  letrave të veçuara apo në fletore më të vogla. Meqë u vu re se midis dy trajtave të së njëjtës poezi kishte ndryshime dialektore, përpunime leksiku dhe ndryshime të strukturës poetike, krahas poezive të Librit u vendosën gjithë të ngjashmet e tyre të shkruara fillimisht në Fletore (në fund të librit të parë jepen edhe konkordancat përkatëse).