Psikoanaliza fëminore
Zigmund FREUD
Interesi mendor i fëmijës për enigmat e seksit dhe dëshira e tij për një njohje seksuale shfaqen në një moshë pabesueshmërisht të hershme. Vështirësia për të kryer në mënyrë të mjaftueshme disa vëzhgime, të cilat po i shtjelloj, ka ardhur si rrjedhojë e faktit se prindërit janë të prekur prej verbërisë në lidhje me këta interesa të fëmijëve, ose prej faktit se, duke mos mundur te shtiren se nuk i vënë re, përpiqen t'i mbysin. Unë njoh një fëmijë të mrekullueshëm që tashmë është katër vjeç, prindërit e të cilit, me një botë të madhe, ruhen të mos e ndrydhin dhunshëm zhvillimin e tij. Vogëlushi Herbert nuk ka pësuar asnjëherë ndonjë gjë që t'i shëmbëllejë një veprimi joshjeje nga ana e dados së tij, e megjithatë ai shfaq tashmë një interes më të gjallë për atë pjesë të trupit që e quan "bibilush". Kur ishte vetëm tre vjeç, ai pyeti të ëmën: "Mami, a ke edhe ti bibilush?". Të njëjtën pyetje i ka bërë shumë herë edhe të atit. Në atë moshë qe dërguar për herë të parë në një stallë ku pa të milej një lopë. "Oh, shiko! – thirri me habi. Po del qumështi nga bibilushi!" Tre vjeç e nëntë muaj, falë një vëzhgimi vetjak, ishte në gjendje të bënte një zbulim të pavarur mbi ekzistencën e kategorive të ndryshme të objekteve. Pa të dilte ujë nga një lokomotivë dhe tha: "Pa shiko! Lokomotiva po bën pipinë. Po ku e ka bibilushin?