Onufri

Ca pika shiu ranë mbi qelq

€15,59

Ismail KADARE

“Ca pika shiu ranë mbi qelq” është përmbledhje poetike e poezive më të zgjedhura të shkrimtarit Ismail Kadare. Tek lexon këto lirika me subjekt dashurie, bindesh më vonë se ke hapur një fletë tronditëse nga historia njerëzore, ashtu depërton në çështje më se qeniesore të ekzistencës së një populli. Kadarenë e tmerron kufizimi i lirisë. (Ri)lexojeni poezinë “Mall” dhe ndaluni te thënia e Heraklitit: “Të zgjuarit janë bashkë me botën/ Kurse të fjeturit janë veç”. Thënie kjo e njohur, e që Kadare ia gjen vendin diku në strofën e tretë të poezisë së lartpërmendur.

Nuk ju zgjon kjo asociacione me mbylljen tonë një gjysmëshekulli, se vërtet tepër gjatë ishim në gjumë, as veten nuk e njihnim se na mungonte kuraja? Shikimi ynë thyhej aty te muri. Është e besueshme kur poeti u drejtohet brezave të ardhshëm: se shumë fjalë do t’i ketë zhdukur jeta… (Epilogu i brezave që vijnë), apo shfajësimit ndaj një qytetërimi që deri dje e kishim sharë: Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë… (Krishtlindjet në New York, 1997). E, ky udhëtim imagjinativ i Kadaresë me harkun kohor prej katërdhjetë vjetësh (1957-1997), me gjithsej 40 poezi, nxit të bësh pyetjen: dolëm nga ajo fushë e errët apo mbi “varrezë bubullimash” do të endemi si të përhëntë?