Apolonia dhe hinterlandi i saj
Aristotel MICI
Një burim nga antikiteti tregon se Apolonia lidhej me detin Adriatik me anë të Vjosës, që kalonte pranë kodrës së saj dhe që kishte grykë të lundrueshme; pra në faqen lindore të këtij qyteti. Vetëkuptohet se ky port duhet të ketë qenë një port lumor.
Por kur shikojmë sot gurët e stërmëdhenj të murit ciklopik në hyrje të Tempullit të Artemidës, si edhe gurët e tjerë të godinave antike, lind pyetja se si janë mbartur ata gurë me ato pesha dhe përmasa aq të mëdha vetëm nëpërmjet një porti lumor?
Pyetja tjetër është se ku janë gjetur ata gurë të rëndë për ato ndërtime?! As fushat dhe as kodrat e Myzeqesë nuk kanë asnjë lloj guri.
Pra, ata gurë duhet të jenë sjellë nga vende të largëta, ndoshta nga ishujt shkëmborë të Mesdheut apo të Egjeut. Dhe mjetet kryesore për t’i mbartur deri te porti lumor i Vjosës duhet të kenë qenë anijet e asaj kohe.
Po a do të ishte i mjaftueshëm vetëm porti lumor i Vjosës për të përballuar gjithë ato mijëra e mijëra tonelata gurë!?