UET

Kisha ortodokse nën komunizëm

€12,99

Artan R. HOXHA

Diktumi i Schiller – it se "historia e botës është gjykatësja e botës" vazhdon të jehojë fort në punën e mjaft historianëve, të cilët e kanë parë shpesh veten si gjykatës apo edhe avokatë të njërës apo tjetrës çështje.  

Studimi i historisë nëpërmjet thjerrëza të moralistit të njëanshëm ka bërë që shpesh historianët ta shohin të shkuarën me dy ngjyra, bardhë e zi, ku qasja etike merr rëndësi mbi analizën dhe shpjegimin.  

Aftësia për të shpjeguar të shkuarën e largët dhe të afërt na bën më të aftë ta gjykojmë atë më mirë, të kuptojmë më drejt veten tonë. Monografia "Kisha Ortodokse nën komunizëm, KOASH – i dhe regjimi diktatorial shqiptar 1945 – 1967" synon të arrijë këtë qëllim: jo të gjykojë, por të shpjegojë.  

Qëllimi i këtij punimi është të kapërcejë dikotomitë e pranishme në literaturën akademike dhe eseistikën e deritanishme mbi historinë e periudhës komuniste në Shqipëri. Realiteti njerëzor, ashtu si edhe spektri i ngjyrave, nuk është dhe nuk do parë bardhë e zi.  

Nuanca të shumta shpërfaqen në këtë punim dhe në vend të një bote me kufij të prerë ndërmjet sunduesit dhe të sunduarve, ajo që paraqitet përpara lexuesit është një kontekst kompleks njerëzor, ku vijat ndarëse janë të turbullta dhe rolet e personazheve historike janë në ndryshim të vazhdueshëm.  

Ky punim destabilizon dhe vë në pikëpyetje shumë prej koncepteve bazë që kanë shërbyer deri tani për të kuptuar komunizmin. Kjo monografi nuk ka për qëllim të parashtrojë përpara lexuesit teza të pakundërshtueshme historike.

Objektivi i saj do të quhet i përmbushur atëherë kur, duke ndjekur postulatin Popperian, këto faqe do të shtyjnë lexuesin të reflektojë në mënyrë më kritikë mbi të shkuarën.