UET

Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi

€15,00

Blendi FEVZIU & Baton HAXHIU

 

Më 17 qershor 1999, një autokolonë makinash larashe, të shoqëruara me disa civilë të armatosur me kallshnikovë, hyri brenda bazës ushtarake të Tetovës në Maqedoni. Baza ishte e vënë në dispozicion të trupave gjermane që pak ditë më parë kishin hyrë në Kosovë dhe qenë vendosur në Prizren. Një helikopter ushtarak, me fundin e hapur dhe me një mitraloz të rëndë montuar në të, priste me helikat e ndezura. 
Hashim Thaçi, lideri politik i UÇK-së, Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, do të udhëtonte drejt saj. 

Helikopteri fluturoi plot 45 minuta. I ulur mbi një ndenjëse të hekurt, në krah të Arbër Xhaferrit që udhëtonte me të, Hashim Thaçi nuk ia ndante sytë dritares. 

Kishin kaluar 2 vjet nga dita kur ai dhe disa të tjerë braktisën përfundimisht Zvicrën për të luftuar në Kosovë. Ngjarjet kishin lëvizur shpejt dhe tani, nën të, shtrihej një tokë e lirë. 
Ashtu siç kishin ëndërruar për afro 100 vjet, breza të tërë. Stërgjyshi, gjyshi apo babai i tij. Shumë prej atyre që e kishin nisur atë betejë, nuk jetonin më. Toka që ata e deshën aq shumë, i kishte marrë në thellësitë e saj, si dëshmi e një kohe që po kthente mbrapsht historinë 100 vjeçare të atij trualli...