
Shqipëria në vitin 1921
Justin GODART
Në Gadishullin Ballkanik ekziston një popull, i cili nuk ka jetuar për veten e tij, por roli i të cilit nëpërmjet shekujve ka qenë furnizimi pa pushim i kombeve fqinj me lëndë njerëzore.
Shqipëria ka qenë rezervuari të cilin grekët, romakët, bizantinët dhe turqit e kanë shfrytëzuar me radhë. Disa herë nën një formë protoplazmike, dua të themë në masë jo të organizuar, raca shqiptare ka mbushur boshllëqet e krijuara nga luftërat apo dekadencat në botën lindore.
Herë të tjera, përkundrazi, ajo është ngritur, ështe personalizuar në një burrë të shquar, siç ka qenë Mehmet Aliu, Skënderbeu ose Pirro, Ali Tepelena, veprimi i të cilëve ka tronditur krahina të tëra dhe ka shënjuar mbi popujt vulën e gjenisë së tyre.
Jeta e shqiptarëve gjatë këtij shekulli, vepra e tyre në Egjipt, ku ata kishin mbret, në Greqi, ku ata ishin luftëtarët e vërtetë të pavarësisë, duhet të na shpjegojnë epokat e historisë së lashtë, kur shqiptarët rivendikojnë Aleksandrin, Akilin... ekzagjerimi është vetëm në formë, paradoksi përmban një të vërtetë.