Fiziologjia e dashurisë
Paolo MANTEGAZZA
Dashuria më është dukur gjithmonë ndjenja njerëzore më e fuqishme dhe më pak e studiuar, e rrethuar dhe e mbrojtur nga një mori e trefishtë paragjykimesh, misteresh dhe hipokrizish, të cilën njerëzit e qytetëruar shumë shpesh e njohin me anë të vjedhjes dhe turpit. Poetë, filozofë, artistë e ligjvënës i shkëpusin pak nga pak zotit të madh një copë nga rrobat dhe mishi i tij dhe nxitojnë ta fshehin mirë atë si vjelja e një fruti të ndaluar. M’u duk një punë e madhe ta studioja dashurinë si një dukuri të jetës dhe një forcë gjigante, e cila shpaloset në njëmijë mënyra në raca dhe kohë të ndryshme; ta studioja si një bazë e shëndetshme e individit dhe e brezave dhe mendova se qe një nder edhe vetëm të provoja ta bëja këtë. Fiziologjia e dashurisë është një ese analize psikologjike e ndjenjës më të lartë; është një studim i dashurisë në shoqërinë tonë moderne dhe si duhet të jetë ajo në një shoqëri më të mirë. Nëse ia kam dalë mbanë ta kthej këtë libër në një punë arti, kjo të takon ty ta thuash, pasi ta kesh lexuar atë. Stili më ka dalë i ngrohtë dhe i ngjyrosur më shumë nga sa i binte për shtat qëllimit që unë i kisha vënë vetes, pra që t’i bëja njerëzit të mendonin dhe të meditonin. Faji nuk është i gjithi i imi, por i temës: unë, edhe pse duke e përpunuar dhe zotëruar subjektin, ndihesha i sunduar prej tij, i përvetësuar dhe i tronditur. Më dukej, pa mburrje, se i ngjaja fëmijës së vogël me krahë të Monteverdes, kur shfaqej si sunduesi i vetëtimës.