Davidi dhe Goliati
Malcolm GLADWELL
“Davidi dhe Goliati” është një libër për atë që ndodh kur njerëzit e zakonshëm vihen përballë gjigantëve. Me "gjigantë" unë nënkuptoj kundërshtarët e fuqishëm të të gjitha llojeve, që nga ushtritë dhe luftëtarët e mëdhenj deri tek paaftësitë, fati i keq dhe shtypja. Çdo kapitull tregon historinë e një personi të ndryshëm - të famshëm ose të panjohur, të zakonshëm ose të shkëlqyer — i cili ka pasur përballë një sfidë joproporcionale dhe ka qenë i detyruar t'i përgjigjet asaj. A duhet të zbatoj rregullat apo të udhëhiqem nga instinkti im? A duhet të këmbëngul apo të heq dorë? A duhet që ta godas edhe unë apo ta fal?
Përmes këtyre historive, dua të eksploroj dy ide. E para është se pjesa më e madhe e asaj që ne e konsiderojmë të çmueshme në botën tonë ngrihet nga këto lloj konfliktesh të njëanshme, sepse akti i bërjes ballë të gjasave dërrmuese prodhon madhështi dhe bukuri. Dhe e dyta, që ne vazhdimisht i keqkuptojmë këto konflikte. Nuk i lexojmë siç duhet. I keqinterpretojmë. Gjigantët nuk janë ata që përfytyrojmë. Të njëjtat cilësi që duket se u japin atyre fuqi janë shpesh burim i një dobësie të madhe. Dhe fakti i të qenët i pafuqishëm mund t'i ndryshojë njerëzit në mënyra që shpesh nuk arrijmë t'i vlerësojmë: mund të hapë dyer dhe të krijojë mundësi, të ndriçojë dhe të bëjë të mundur atë që përndryshe mund të dukej e pamendueshme. Ne kemi nevojë për një udhëzues më të mirë se si të përballemi me gjigantët dhe nuk ka vend më të mirë për t'ia filluar sesa me konfrontimin epik midis Davidit dhe Goliatit tre mijë vjet më parë në luginën e Elah-s.