Dituria

Baba Tomorri

€9,99

A.Z. ÇAJUPI

 

Çajupi bëri emër në letërsinë tonë të fillimit të shek. XX kryesisht si poet, vepra e të cilit u kushtohej atyre idealeve patriotike e demokratike, që i jepnin shtytje lëvizjes sonë kombëtare. Në vëllimin me vjersha Baba Tomorri ishte përfshirë edhe komedia 14 vjeç dhëndër, por që nuk jepte aq dorë për ta vlerësuar autorin edhe si dramaturg.

Dy veprat dramatike të tij, komedia Pas vdekjes dhe tragjedia Burri i dheut u botuan vonë, pas 1935, dhe mendimi kritik përparimtar shqiptar nuk arriti të nxirrte në shesh vlerat e vërteta të Çajupit, edhe si komediograf e si lëvrues i tragjedisë.

Komedia e parë, 14 vjeç dhëndër, u quajt nga kritika e viteve ’30 “një farsë moliereske shumë e bukur, që zë vendin e parë në gjininë e vet”, letërsia jonë s’e kishte njohur akoma këtë lloj të gjinisë dramatike.

Çajupi si dramaturg u shqua ndër gjithë bashkëkohësit jo vetëm si ndër iniciatorët e lëvrimit të kësaj gjinie, por edhe për faktin se veprat e tij dramaturgjike zunë vend të veçantë në letërsinë tonë, për sa u përket tipareve themelore të brendisë ideore dhe të stilit dramaturgjik.

Kështu, përkundrejt temave të ngushta familjare morale, që zënë vend në veprën e ndonjë bashkëkohësi, autori u preokupua për probleme të rëndësishme politike dhe shoqërore. Me komedinë e tij Çajupi u bë një dukuri origjinale në letërsinë tonë të Rilindjes Kombëtare.

Ndonëse e filloi punën si komediograf, në periudhën kur në letërsinë tonë s’ishte krijuar një traditë e tillë,
Çajupi me artin e tij u ngrit në nivelin më të mirë të dramaturgëve, jo vetëm të kohës por edhe të pasardhësve të afërt.