Living

Sikur të isha djalë

€12,00

Haki STERMILLI

Romani "Sikur të isha djalë" ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.


Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj.

Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithëse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të.

"Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz" - shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë.

Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s'mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinionin e egër e të prapambetur shoqëror. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.