Lize's Bookstore - Libraria shqiptare në diasporë

Poetët bëjnë dashuri ndryshe

€18,00

Darien LEVANI

Me një stil krejt të ri e të palexuar në letërsinë shqiptare, vjen një libër mbi ëndrrat, dëshirat, dhuntitë dhe dëshpërimin e shqiptarëve të sapopjekur.

Martin Ibrahimi, apo Marti siç e thërrasin miqtë, diplomuar në letërsi në Universitetin e Tiranës dhe shitës në një librari gjithmonë bosh, është lideri i grupit rock "Lufta e Ftohtë".
Jeta e tij merr një kthesë të çuditshme kur njeh Enxhin, e cila, me "enxhitetin" e saj, do ta sfidojë Martinin në një duel joshjesh e fjalësh, duke e tërhequr në një Tiranë të panjohur për të. Është një Tiranë që ka zhurmën e tregut të Medresesë, ironinë e mbrëmjeve poetike dhe sfidën e një proteste. Pastaj ka edhe zakone bilardosh, spitale të ndyra, ideale partish e mësime universitare, pa harruar provat për koncertin e radhës, të gjitha këto të shërbyera me zhargonin dhe humorin e rrugëve shqiptare.

Në këtë vorbull ngjarjesh, personazhet dalin nga bota e fantazisë e marrin shëmbëlltyrën e këtij apo atij personi që çdo lexues me siguri njeh. Martini na rrëfen rrugëtimin e tij duke u ndalur tek e përditshmja që e nervozon e ndaj të cilës i duhet të jetë indiferent; te pasioni i tij për muzikën e vërtetë, por që shumica nuk e kupton; te ngushëllimi që kërkon të gjejë tek antidepresivët, që nuk mund t'ia zgjidhin problemet; te domethënia e një dashurie, ndaj së cilës realiteti i zymtë shqiptar ka vënë një zgjedhë. Rrugëzgjidhja e vetme mbetet përshtatja, dhe këtë Martini nuk e ka të vështirë për ta kuptuar, por për ta pranuar.

Autori i jep zë frikës, shpresës e përpjekjeve të një brezi: historia e personazhit bëhet këndvështrim për Shqipërinë e sotme. E përfaqëson atë pa mëshirë, pa lajka e lustra, por me një ndjeshmëri të re për letërsinë shqiptare.

Ky roman bën atë që bëjnë të gjithë librat e arrirë: merr një histori personale dhe e kthen në universale, të vlefshme për të gjithë.