Menulara
Simonetta Agnello Hornby
“Duket sikur Menuja është shndërruar në një shpirt që na vigjilon përmbi krye e që nuk do të gjejë prehje derisa t’u bindemi urdhrave të saj”.
Personazhi i Maria Rozalia Inxerilos, e mbiquajtur Menulara, merr formë të re përmes imazheve dhe gjuhës së grafikës. E, bashkë me të edhe e gjithë qyteza e Rokakolombës, në Siçilinë e viteve gjashtëdhjetë, me një grup personazhesh që vërtiten rreth misterit të kësaj shërbyese-padroneje të pakrahasueshme, punëtore në familjen Alfalipe dhe administratore e paçmuar e pasurive të tyre. Me vdekjen e saj, të gjithë fillojnë të flasin për të: sepse i dinë dhe nuk i dinë të fshehtat e saj, sepse disa e urrejnë dhe e mallkojnë e disa e kujtojnë me mirënjohje.
Menulara, romani i parë i shkrimtares Simonetta Agnello Hornby, një sukses i madh ndërkombëtar e i përkthyer në të gjithë botën, shndërrohet në roman grafik falë punimit grafik e të mrekullueshëm të grafistit Massimo Fenatit. Vepra i përmbahet origjinalit dhe e respekton atë, por është gjithashtu autonome dhe befasuese, e pasuruar me disa skena të pabotuara më parë – me një “kapitull të humbur”, të cilin nuk e gjejmë në romanin që kemi njohur deri më sot.