Karpa
CAMAJ
Posaqë paradoksi kohor i Karpës nuk bazohet mbi kundërvënien mes epokave të ndryshme, a më mirë të themi, mbi kalimin shungullues nga e shkuara në të ardhmen dhe anasjelltas, por mbi sfidën ndaj çdo gjëje të rastësishme dhe jetëshkurtër, atëherë mund të themi se thelbi i atij paradoksi qëndron në përpjekjen për të paraqitur një kohë pa lëvizje, që fshin kundërvënien mes jetës dhe vdekjes. Me këtë model antropologjik përkon tipi kulturor “karpatik”, banori vizionar i një qyteti imagjinar, që Camaj e skalit mjeshtërisht, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veçorive gjuhësore, tipareve të jashtme dhe natyrisht përcaktimit simbolik.
Tek e fundit, nëse edhe Camaj, ashtu si Defoe, i besoi personazhit të tij detyrën “të rindërtojë” një botë që t’i ngjasojë atij, duke e lejuar të përdorë të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë rrënojat dhe mbeturinat, siç mund të jenë copëzat e kujtimeve dhe të mallit, ky qëllim nuk mund të arrihej veçse përmes krijimit të atij vendi ideal, imagjinar, magjik, origjinal ku njerëzit ëndërrojnë të lënë dëshirat e papërmbushura.