Pegi

Femrat

€15,00

Charles BUKOWSKI

 

Shkrimtari i shthurur dhe alkooliku Henri Çinaski ka lindur për të mbijetuar. Pas dekadash të tërë punësh të papaguara, shkapërderdhje parash me gra dhe baste, edhe Çinaskit më së fundi i ndrin ylli i tij letrar.

Në këtë furi fame dhe alkooli, Bukowski rrëfen haptas dhe pa asnjë nënkuptim një pasion magjepsës të tij: gratë dhe aventurat e tij të dashurisë, të vërteta apo të sajuara qofshin. Për të, ato janë burim i përhershëm tërheqjeje, një nevojë që nuk njeh prehje dhe nuk ndalet as para situatash nga më të pavolitshmet, më të turpshmet apo më të neveritshmet.

Kërkimi i tij nuk resht përpara asgjëje, ndoshta sepse dashuria dhe lufta mes sekseve janë mjeti më i sigurt për shkrimtarin amerikan për të ruajtur lidhjet me realitetin. Histori të çuditshme, takime vulgare dhe groteske, bëma të paharrueshme a mjerane, dialogë të pacipë e të drejtpërdrejtë, në sfondin e një ekzistence endacake, të shënjuar nga maratona të gjata alkoolike.

Një botë endacakësh e bohemësh që askush më mirë se Bukowski s'ka ditur ta përjetësojë në faqet e një romani.

Fragment nga libri

Eh, femrat: më pëlqenin ngjyrat e veshjeve të tyre; mënyrat e të ecurit; shprehja mizore që kishin fytyrat e disave prej tyre; ndonjëherë bukuria pothuajse e qashtër e disa të tjerave, nuri krejtësisht femëror që të kënaqte shpirtin.

Ishin ato që na e hidhnin gjithmonë, ngaqë dinin të planifikonin dhe të organizonin. Ndërkohë që burrat shihnin futboll dhe pinin birrë, pse shkonin të luanin bouling, ato jo, ato, femrat, përqendroheshin, na vëzhgonin, mendonin dhe vendosnin... të na pranonin, të na shumëzonin me zero, të na shkëmbenin, të na vrisnin ose thjesht fare, të na linin.

Tek e fundit, nuk kishte dhe aq rëndësi, një gjë dihej, çfarëdo që të bënin ato, ishim ne ata që përfundonim të vetmuar e të rrjedhur.