Dhunë e dhunti (mirësia vjen në muzg)
Enit Karafili STEINER
Maksi dhe Toska janë dy vëllezër binjakë, të shpërngulur në Amerikë, në Lalaland, në kërkim të lumturisë dhe Tokës së Premtuar. Maksi, një shpirt artist, bohem e kokëkrisur, dhe Toska, i matur, akademik e filozof, përbëjnë dy anët e një peshore që kanë nevojë të domosdoshme për njëri-tjetrin për të ruajtur ekuilibrin.
Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. Tesa, "e marra mish e thua e të vëllait", do të trondisë marrëdhënien e tyre, duke i larguar, por edhe duke i ngërthyer keqaz me njëri-tjetrin. Pas një aksidenti tragjik që do të pësojë Maksi, "vala" e fatalitetit do t'i rrëmbejë në vorbullën e vet të tria qeniet.