Më quajnë - Çarli Çaplin
Luis LUQUE
I lindur në Londër (Mbretëria e Bashkuar), Çarli Çaplin është një nga figurat kryesore të historisë së kinemasë. Ishte biri i një çifti aktorësh jo të njohur. Brenda pak vitesh arriti të kapërcente mjerimin në të cilin jetonte, duke u bërë aktori më i famshëm dhe më i paguar i epokës së tij. Në dyzet vjet mori pjesë në më shumë se tetëdhjetë filma, ku ia doli të kryente me sukses edhe aktorin, regjisorin, kompozitorin, si dhe producentin. U konsiderua si një gjeni i kinemasë, fillimisht asaj pa zë, dhe më vonë i kinemasë me zë. Karriera e tij filloi me komeditë, pastaj me filmat sentimentalë dhe dramatikë, për të përfunduar me filmat që denonconin shoqërinë dhe politikën. Krijimi i tij më i madh ishte personazhi i Sharlotit, një vagabond unik i llojit të tij për shkak të mustaqeve, kapelës, shkopit… dhe peripecive të tij, të cilat kanë emocionuar breza të tërë.