Toena

Arbëreshët, midis realitetit dhe mitit

€30,00

Fatmir TOÇI

Libri “Arbëreshët midis mitit dhe realitetit” i autorit Fatmir Toçi. Kjo vepër për historinë dhe të sotmen e arbëreshëve të Italisë përmban një informacion të pasur, gjë që e bën një vepër me shumë vlerë për të njohur “mrekullinë” arbëreshe. Ka jo pak libra për arbëreshët, të shkruar nga historianë e studiues të fushave të ndryshme, por ky botim i ri dallon shumë prej tyre. Ai është shkruar nga një autor i cili vërtet nuk është historian i Shqipërisë apo i arbëreshëve të Italisë, por është ndër njohësit më të mirë të botës arbëreshe. Si kryetar i grupit të deputetëve për marrëdhënie me arbëreshët e Italisë, të krijuar vite më parë, atij iu dha mundësia të shkelte e të shihte nga afër vendbanimet arbëreshe. Siç e thotë edhe vetë në parathënien e librit, ai është “nga shqiptarët e paktë, në mos i vetmi, që ka mundur të shkelë e të shohë nga afër pothuaj të gjitha vendbanimet arbëreshe në Itali”, mbi 510 ngulime, nga të cilat sot kanë mbijetuar rreth 50 komuna e fraksione të tyre. Këto vizita të tij jo vetëm në ngulimet ekzistuese, po edhe të dikurshmet që janë shuar, i krijuan mundësinë të njihte mirë botën arbëreshe dhe historinë e saj, duke i dhënë edhe shtysën për të shkruar për arbëreshët. Për këtë qëllim, krahas shënimeve nga takimet e bisedat me vendësit dhe fotografive të vendeve e të objekteve të vizituara prej tij, ai nisi edhe grumbullimin e literaturës e të dokumentacionit historik përkatës.

 

“Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” është një libër i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të zhdërvjellët, pa alambikime të frazës, siç ndodh në veprat shkencore për historinë. Kjo e bën atë një vepër popullarizuese që mund të lexohet nga kushdo, pa qenë nevoja për njohuri të mëparshme historike. Ajo do t’i japë lexuesit dije për historinë e arbëreshëve të Italisë dhe për gjendjen e tyre të sotme, duke nxitur në ta dëshirën për udhëtime turistike në ngulimet e tyre, për të ndërmarrë studime gjuhësore, historike e etnologjike, për të bërë biznes etj. Dhe, ndoshta, do të nxitë drejtues të bashkive në Shqipëri ose të komunave shqiptare në Kosovë, në Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi që do ta lexojnë këtë libër, të vendosin lidhje binjakëzimi me komunat arbëreshe, të bëjnë vizita të ndërsjella e veprimtari kulturore të përbashkëta. Nga përvoja e pasur e drejtuesve arbëreshë të komunave në organizimin e jetës së këtyre bashkësive, drejtuesit shqiptarë të pushtetit vendor kanë për të mësuar e përfituar shumë.