UET

Loja që ndryshoi Shqipërinë

€12,99

Sokol BALLA

 

Libri është një reflektim për ecurinë, uljet dhe ngritjet e futbollit shqiptar në këto 7 dekada që nga koha e komunizmit dhe në këto vite tranzicion. Gazetari Balla rrëfen marrëdhënien e tij me futbollin dhe kombëtaren duke sjellë në këtë libër një rrëfim personal kur shoqëronte që fëmijë babain e tij në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, momentin kur guxoi t’i merrte autograf Franz Beckenbauer-it të madh pas një ndeshje në Qemal Stafa. “Ky libër botohet në 70-vjetorin e ndeshjes së parë ndërkombëtare të futbollit të kuqezinjve, në shenjë modeste mirënjohjeje dhe falënderimi për gjithë ata që kontribuuan në një vit historik, kur pjesëmarrja e Kombëtares në finalen e Kampionatit Europian na bëri të gjithëve të ndiheshim të barabartë, për dhjetë ditë, me të gjithë vendet e kontinentit”, shkruan në hyrje të librit autori. Ndërsa si pasthënie ai ka zgjedhur pikërisht momentin kur ai akoma një fëmjë takon idhullin e tij gjerman. “Kisha qenë në ndeshjet e Kombëtares dhe të “17 Nëntorit” për vite të tëra rresht. Shtëpia ime e dytë ishte stadiumi “Qemal Stafa”. Por për herë të fundit kisha qenë aty më shtator 1990. Dy herë. “Dinamo” kampione ndeshej me kampionët e “Olympic Marseilles”. Nuk di se si gjeta mënyrën të çaja kordonin policor për të hyrë në fushë. Deri aty ku trajneri i francezëve po testonte fushën, i shoqëruar nga një gazetar i “Sporti Popullor”. Idhulli im dhe i miliona tifozëve, Franz Beckenbauer, si dhe Robert Papa, pranë tij, ngelën të habitur. Një djalë i ri, me syze, bëri aktin e paprecedent: po i kërkonte Kaiserit një autograf, mbi një foto të tijën, me ngjyra, me Kupën e Botës që kishte ngritur dy muaj më parë, në Romë. Kaiseri firmosi foton dhe më pas fshiu dorën nga djersa e dorës sime të sikletosur që iu drejtua për ta shtrënguar. Gazetari i “Sportit Popullor” lajmëroi policët, të cilët më intervistuan me hollësi, por qëllimi ishte tjetër. Ata kërkonin të shihnin se çfarë letre kishte firmosur gjermani i famshëm. Për më tepër, njëri prej tyre tentoi ta griste, por duhet të ketë ndeshur në sy njerëzish të inatosur. Ishin kohë të vështira për regjimin. Njerëzit braktisën shkallët e stadiumeve dhe iu drejtuan ambasadave dhe shesheve e, më pas, edhe porteve dhe kufijve. Në stadium nuk do ktheheshin për shumë vite me radhë. Bashkë me ta, as unë….”