
Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret
Blendi FEVZIU
...duam apo nuk duam ne, ai mbetet një karakter interesant dhe enigmatik, një përzierje pa kriter kontradiktash të ndryshme, gjysmë hero dhe gjysmë bufon, për të cilin do të interesohen si grumbulluesi i fakteve historike të çuditshme, ashtu edhe studiuesi i psikologjisë." - Faik Konica
"Zogu dinte të shpaloste një joshje fort të stërholluar dhe të përdorte një buzëqeshje të mrekullueshme. Toni i zërit të tij ishte i ngrohtë, të folurit e tij, i thjeshtë, i qartë. Nganjëherë të jepte përshtypjen se po të linte të depërtojë në intimitetin e vet, duke arritur të japë ndjenjën e një sinqeriteti të madh, që në njëfarë kuptimi nuk ishte mashtrues. Shkurt, një personalitet fort kompleks. Nga ndonjëherë, por mjaft rrallë, një gjest, një qëndrim, ju zbulonin fytyrën tjetër të tij. Në raste të rralla, "Jo" e tij dilte si një e shtënë. Burri atëherë transformohej: bëhej dyllë i verdhë, tiparet e tij tendoseshin, buzët i bëheshin më të holla, vështrimi i ngulët, i ftohtë, plot me një dritë të keqe. - Pietro Kuarone
"Zogu ka qenë një tip realist, për të cilin si ndjenja, ashtu edhe ana morale e çështjes s'ka patur kuptim. Shoqëria, miqësia dhe intimiteti kishin një farë vlere për të kur këto i shërbenin interesit të tij. Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij... Zogun ndjente kënaqësi të madhe kur lavdërohej e brohoritej prej veglave e dallkaukëve të tij, por nga ana tjetër, gjatë katër vjetëve bashkëpunimi asnjëherë s'kam dëgjuar nga goja e tij fjalë mburrjeje ose lavdërimi për veten..." - Sejfi Vllamasi
"Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohte dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij..." - Eqrem bej Vlora