Meditime
Mark AURELI
"Në të shtatëmbëdhjetën ditë të marsit të vitit 180, një muaj para se t’i mbushte 59 vjet, perandori romak lëshoi regëtimën e fundit. Mark Aurel Antonini – i fundit nga pesëshja vige e “perandorëve të mirë” – nuk po hahej më me luftën e kurrëmbarimtë në veri, që po tëharrte fuqitë e Romës shkëlqimplotë.
Kur limes-i që lakadredhohej përgjatë rrjedhës së Danubit nuk po i frenonte më shkulmet e miriadave barbare, perandorinë e pllakosi murtaja fatale që posteriteti do ta quante “antonine” për shkak të përkitshmërisë me periudhën e perandorëve të artë.
Longobardët dhe fise të tjera gjermanishtfolëse zaptuan Panoninë duke zhgrehur kryengritje e batërdi përandej e përkëtej kufirit. “Qeveritarët në Iliri njoftonin se gjermanët kishin kapërcyer lumenjtë Rin dhe Danub dhe po shkretonin perandorinë romake”, kumton historiani grek Herodiani, autor i një historie që strumbullohet rreth këtyre ngjarjeve. Kjo mandatë do të sëmbonte ushtarët ilirë që ndodheshin në skajet lindore të Perandorisë, mbi supet e të cilëve rëndoi një mynxyrë e dyfishtë. Sipas Herodianit, “këta burra që kishin duruar krajata të shumta në fushatën perse tani mësuan që familjet e tyre ishin vrarë nga gjermanët”.
Vdekja e bashkëperandorit Luci Veri më 169 nuk e ligështoi Mark Aurelin që të çante përpara me mësymjen që arriti të dëlirte nga armiqtë provincat e Norikut dhe Retisë. Duke u nisur nga Karnuntumi (në Austrinë e poshtme), legjionet e Romës zunë një pjesë të madhe të asaj që sot përbën Sllovakinë Jugore.
Më 179 dhe 180, fitoret do të pasoheshin me shpartallimin e fiseve markomane e kuade. Por, edhe brendatoka e perandorisë, domethënë viset e asajanshme ilire poshtë limesit dabubian, nën një ajër agjitimi po zienin nga hakërrime revoltash kaçake.
Autori i Historiae Augustae vë re se si perandori Mark Aureli më 169 nisi të rekrutonte “banditë” të tillë nga Dalmacia e Dardania: “Latrones Dalmatiae atque Dardaniae milites fecit” (Ai madje ktheu kaçakët e Dalmacisë dhe Dardanisë në ushtarë).
Sipas dëshmive mbishkrimore, të kësokohshme janë dy “cohortes Delmatarum” dhe dy të tjera “cohortes Aureliae Dardanorum”.
Sipas András Mócsy, kohortat dardane u përdorën për stabilizimin e gjendjes së tallazitur ashtu sikurse edhe për ruajtjen e minierave dhe nyjave rrugore.