Plejad

Bota si vullnet dhe përfaqësim

€12,99

Arthur SCHOPENHAUER

 

Jo bashkëkohësve të mi, jo bashkëqytetarëve të mi, por njerëzimit po ia dorëzoj veprën time.... me një rëndesë të brendshme dhe me besimin se herët a vonë do të arrijë tek ata, të cilëve mund t’u drejtohet. Por, nga ana tjetër, qetësisht i dorëzuar të shoh të prekë, në tërësinë e vet, fatin që i takon gjithmonë së vërtetës, në çdo fushë të dijes: fat, që thotë se të vërtetës i është caktuar veçse një triumf i shkurtër, midis dy hapësirave të gjata kohe, në të cilat ajo dënohet si paradoksale ose nënçmohet si banale.


E vërteta nuk është një grua e përdalë, që u hidhet në qafë atyre që nuk e dëshirojnë; përkundrazi, ajo është një bukuroshe kaq shumë ngurruese, saqë edhe ai që arrin të sakrifikojë gjithçka nuk mund të jetë i sigurt t’i fitojë favoret e saj.
Jeta është e shkurtër, por e vërteta punon me largpamësi e rron shumë gjatë. le ta themi pra të vërtetën! Mendimet e këtyre shpirtrave të jashtëzakonshëm nuk durojnë të filtrohen nga një mendje e zakonshme. Të prodhuara prej balleve të gjera, të larta e të harkuara, nën të cilët shkëlqejnë sy vezullues, nëse transportohen në një strehë të angështuar e me çatinë e ulët të një kafke të ngushtë, të shtypura nga muret e trashë, prej të cilave spiunojnë vështrime të topitura, që priren kah qëllimeve personale, ato humbasin çdo jetë dhe fuqi, e nuk i ngjajnë më as vetvetes.


Madje, mund të thuhet se këto lloj mendjesh veprojnë si pasqyra deformuese, në të cilat gjithçka përdridhet, shfigurohet, humbet simetrinë e bukurisë së saj e përngjason me një ngërdheshje.


Ndaj, ai që ndihet i prirë kah filozofisë duhet t’i vizitojë mjeshtërit e pavdekshëm të saj në faltoren e heshtur të veprave të tyre.