Pegi

Flama

€15,59

Tom KUKA

 

FITUES I ÇMIMIT EUROPIAN TË LETËRSISË (2021)

Ky është rikthimi i Di Himës, kryehetuesit të Tiranës, me të cilin lexuesi është njohur në novelën e parë “Hide mbi kalldrëm”. Në një Tiranë “mbretërore” ku gëlon gjirizi, ndyrësia, zallamahia dhe ligësia, është ulur këmbëkryq Flama, mynxyra e madhe, e cila po shkurton jetë e po shuan njerëzinë. Por ndërkaq, ndodh një krim në dukje thuajse i rëndomtë.

Kurbatkës së Bregut të Lumit, që sheh filxhan dhe ua nxjerr në shesh të palarat njerëzve, i kanë prerë grykën me brisk. Di Himës i duhet të zbulojë vrasësin dhe motivet që e kanë shtyrë atë deri në këtë mizori.

Të jetë vallë një hakmarrje e thjeshtë ?
Apo gjëma shkon përtej pafajësisë së një filxhani ?

Teksa Di Hima heton, na shpaloset përpara syve një mjerim i madh, jo vetëm ekonomik, por edhe shpirtëror. Njerëz që nuk duan të njohin rrënjët e tyre, të shkuarën e tyre; gra që shiten e blihen në pazar për hiçmosgjë, njerëz të kulturës që i kanë duart e lidhura në gjithë atë zallahi, mjekë që përplasen me realitete të paimagjinueshme, njerëz të lirë si banorët e Bregut të Lumit, që prapë mbeten me disa parime brenda për brenda “shthurjes” së tyre.

I ngjashëm me romanin e Konicës “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, Tom Kuka, me stilin e tij, që shkon nga magjikja te realja, rikthehet për të na rrëfyer gjëmën e madhe të mëkatit. Di Hima, si një tjetër Doktor Gjilpëra, kërkon të gjejë një vrasës, kurse qytetit po i merret fryma nga morti.

Tom Kuka mbush karron e tij me trupat e lëngatës së Flamës, ndërsa dikush vret për të mbuluar mëkatin nga rrjedh e gjithë llahtara. Një metaforë e mrekullueshme për njeriun e sotëm, që po përjeton një pandemi mbarëbotërore, ndoshta për shkak të grykësisë dhe përdhosjes që i ka bërë natyrës dhe vlerave njerëzore.