Dudaj

Koha e stuhive

€20,00

Nicolas SARKOZY

 

Që nga 16 maji 2007, isha vetëm. Nuk kisha më lidhje hierarkike. Sigurisht, ishte populli francez, por forca e tij kolektive nuk shprehet në vendimmarrjet e përditshme apo në emërimet që duhen bërë. Kisha një ekip, këshilltarë, miq, vizitorë të mbrëmjeve, por isha i vetëm për të marrë vendimin përfundimtar dhe për të marrë përsipër pasojat. Kjo ishte ndjesia e parë që më pushtoi pasi përcolla Zhak Shirakun në makinën e tij dhe hyra në zyrën presidenciale, që ishte bërë imja për pesë vitet e ardhshme. Qëndrova aty vetëm disa çaste. Do të kisha dashur që ai moment të zgjaste më shumë, me gjithë kufizimet protokollare të asaj dite të parë.


Zura vend pas tryezës që kishte qenë e gjeneralit de Gol dhe që Zhak Shiraku porsa ma kishte lënë mua. E kisha parë kaq shpesh në atë vend. Mendova se sa e çuditshme ishte situata. Sa e kisha dashur, shpresuar, ëndërruar! Tani, ja ku isha. Çfarë duhej të bëja për të mos i zhgënjyer gjithë ata francezë që sapo më kishin dhënë besimin e tyre? Çfarë më priste?

Nuk kisha më asnjë njeri kujt t'i drejtohesha. Mbylla sytë. Papritur, pesha e rëndë dhe, sidomos, vetmia tipike e postit po më binin mbi supe. Dukej sikur ato kishin qenë aty, në zyrën presidenciale, shumë më përpara ardhjes sime, dhe unë i kisha marrë përsipër duke hyrë aty. Ishte më brutale nga sa e kisha përfytyruar. Mendoja se isha i përgatitur. Por ishte thjesht iluzion. Është e pamundur të jesh i përgatitur për një goditje të tillë. Papritur, e kaluara ime ishte zhdukur sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, kishin rëndësi tanimë vetëm e tashmja dhe e ardhmja. Ishte marramendëse, aq e fortë saqë nuk shkaktonte, për çudi, asnjë lloj eksitimi të brendshëm. Isha njëkohësisht qetë dhe krejtësisht i vetëdijshëm se ndodhesha në buzë të greminës.