Herezia e Dërvish Mallutës
Teki DËRVISHI
“Vetë titulli i romanit Herezia e Dervish Mallutës, fare qartë dhe në formë konkrete na bën me dije se kemi të bëjmë me çështjen e herezisë dhe të heretizmit… Në romanin e T. Dërvishit kjo çështje realizohet në fushën e artit, të rrjedhës së proceseve jetësore e intelektuale të një mesi. Në këtë roman kemi të bëjmë me fenomenin e herezisë, të cilin autori e nxjerr nga empiria e një grupi social që jeton në bazë të asaj teorie… Me këtë nxjerrim konstatimin se në qendër të herezisë dhe të heretizmit qëndron paradoksi, kundërthënia e kundërshtia me shkakun dhe pasojën e vet (…) Marrë në përgjithësi, po përfundojmë me konstatimin se romani Herezia e Dërvish Mallutës është romani më i mirë i autorit dhe një ndër romanet më të rëndësishme të botuar brenda viteve të fundit në letërsinë tonë.”
Dr. Ibrahim Rugova
“Elementet dhe kualitetet e romanit Herezia e Dervish Mallutës të Teki Dërvishit kanë më tepër karakter dhe qëllim konstitues, ontologjik: krijojnë iluzionin mbi vërtetësinë e kësaj bote artistike, motivojnë idetë dhe situatat nëpër të cilat sprovohet individi i tjetërsuar e përplot me botëkuptime të paqëndrueshme, religjioze.”
Xhemail Mustafa