Zbulimi i fëmijës
Maria MONTESORI
Kohët kanë ndryshuar, shkenca ka bërë përparime të mëdha, po ashtu edhe puna jonë; por parimet tona nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë ripohuar, siç janë ripohuar bashkë me to edhe bindja jonë: njerëzimi mund të shpresojë në një zgjidhje të problemeve të tij, ndër të cilat më të rëndësishmet janë ato të paqes dhe të bashkimit, vetëm duke iu kushtuar vëmendjen dhe enrgjitë e veta zbulimit të fëmijës dhe zhvillimit të potencialitetit të madh të personalitetit njerëzor në formim e sipër.
Qëllimi i dashurisë njerëzore nuk është ai egoist për të siguruar qetësinë e vet. Qëllimi i dashurisë është që të shtojë fuqitë e shpirtit të lirë duke e bërë atë pothuajse hyjnor dhe në një dritë kaq të fortë të bëjë të përjetshëm sojin. Është dashuria ideale e mishëruar nga Fridrih Niçe në gruan Zarathustra, e cila do në mënyrë të vetëdijshme që fëmija e saj të jetë më i mirë se ajo.
"Përse më dëshiron?" e pyet ajo njeriun. "Ndoshta nga frika e vetmisë?...pra për t'u mbrojtur nga vështirësitë e jetës? Atëherë, largohu prej meje. Unë dua njeriun që ka fituar mbi vetveten dhe ka formuar një shpirt të madh. Unë dua njeriun që ka mbajtur një trup të shëndetshëm dhe të fortë.
Unë dua njeriun që të dojë të bashkojë me mua shpirtin dhe trupin për të nxjerrë në dritë fëmijën! Fëmijën më të mirë, më të përsosur, më të fortë se ata që e kanë krijuar atë!" Të përmirësosh sojin në mënyrë të vetëdijshme, duke nxitur shëndetin dhe virtytin: ja se çfarë i mbetet lidhjes familjare të njerëzve.
Koncept fisnik për të cilin ende nuk mendojmë. Dhe shtëpia e së ardhmes, e gjallë, e matur, e ëmbël, edukuese dhe ngushëlluese, është çerdhja e vërtetë dhe e denjë e çifteve njerëzore, që në të duan të përmirësojnë sojin dhe ta hedhin atë ngadhënjimtar në krahët e përjetshëm të jetës.