Pegi

Bukë me sallam

€11,99

Charles BUKOWSKI 

"Bukë me sallam", romani i katërt i Charles Bukowski–t, botuar për herë të parë më 1982, me gjasë është libri më autobiografik, rrëqethës dhe prekës i tij. Ai trajton fëmijërinë dhe adoleshencën e Henri Çinaskit, plot shëmti, dhembje, arrati e vetmi, që nga vitet e para të jetës e deri në kurorëzimin e një "karriere" të gjatë e të suksesshme alkoolike. "Bukë me sallam" është padyshim romani më i mirë i Bukowski–t.

Në këtë roman të ashpër, mizor e të dëshpëruar, por edhe ironik e moskokëçarës, gjithçka përballohet me tone të egra, pa gjetur asnjë ngushëllim. Aty rrëfehet për prindër patetikë, konformistë e të dhunshëm; për zbulimin vuajerist të seksit e për vetëdijen e thekshme të të qenit i përjashtuar; për revoltën kundër hipokrizive sociale të punës, të suksesit dhe të dashurisë për atdheun; për shkollën, ku hierarkitë shoqërorë janë të pashpresa dhe një riprodhim i së shkuarës; për profesorët groteskë dhe të frustruar dhe mësueset joshëse e mëmësore; për miqtë dhe rivalitetet e egra për të prirë "kopenë" e për të rregulluar ndonjë vajzë; e më së fundi, për ndjenjën poshtëruese të përjashtimit që shfaqet në dorëzimin ndaj alkoolit, së cilës vetëm shfryrja te shkrimi i dëshpëruar e kompulsiv do t'i japë një shpresë për shpagim.

 

"Problemi ishte se vazhdimisht duhej të zgjidhje mes dy të këqijave, dhe pavarësisht se ç'zgjedhje bëje, të rrëmbehej edhe një pjesë tjetër nga vetja, derisa nuk mbetej më asgjë. Në moshën njëzetepesëvjeçare, shumica e njerëzve kishin marrë fund.

Një komb i tërë shkërdhatash që ngisnin makina, hanin, pillnin kalamaj, bënin gjithçka në mënyrën më të tmerrshme, si për shembull, votonin për president kandidatin që u kujtonte më shumë vetveten."