
50 gratë më me ndikim të epokës sonë
Chiara Pasqualetti Johnson
Kopertinë e fortë 224 faqe
“50 gratë më me ndikim të epokës sonë”, albumi që na rrëfen si në një film
“50 gratë më me ndikim të epokës sonë” sjell profilet e jetëve të disa prej heroinave të njëqindvjeçarit të fundit, të cilat me forcën e jashtëzakonshme, këmbënguljen dhe gjenialitetin e tyre ndikuan fuqishëm në fushat përkatëse. Me arritjet mbresëlënëse dhe shembullin e pakrahasueshëm, ato u dhanë drejtësinë e munguar grave, të cilat deri vonë shiheshin si të virtytshme vetëm në cilësinë e bijave kokulura, bashkëshorteve dhe nënave të përkushtuara.
Krahas teksteve, faqet e këtij libri janë të ilustruara edhe me fotografi, të cilat paraqesin jo vetëm portretet e tyre, por sjellin edhe dëshmi të disa prej çasteve historike më domethënëse, nga fundi i shekullit XIX deri në ditët tona.
Gjuha e përdorur nga autorja, Chiara Pasqualetti Johnson është e thjeshtë. Ajo e ka vënë theksin te përmbajtja e historive të protagonisteve të librit, pasi janë këto histori që, jashtë çdo gjase, treguan se përkrah talentit, me një vullnet të hekurt dhe punë, gratë ia dolën mbanë që të zënë një vend dinjitoz në disiplina, si shkenca, arti, letërsia, sporti apo politika, të cilat i përkisnin vetëm universit të ngurtë e paragjykues mashkullor. Një hapësirë u është kushtuar edhe mendimeve të shprehura nga vetë protagonistet, të cilat paraqiten në formë citatesh.
Ky rrugëtim që ndalet në disa prej momenteve me ndikimin më të madh në historinë e shekullit XX, nis me luftaraken Emmeline Pankhurst, betejën e saj në kërkim të së drejtës për të votuar. Vazhdon me shkencëtaren Marie Curie, e cila deri më sot, është e vetmja që ka fituar çmime “Nobel” në dy fusha: kimi dhe fizikë. Maria Montessori-n, metodat largpamëse mësimdhënëse të së cilës bënë revolucion në arsim. Virginia Woolf-in, një nga mendjet më të mprehta dhe penat më brilante të historisë së letërsisë. Coco Chanel-in, e cila përmbysi konceptet e elegancës femërore të kohës. Guximtaren Amelia Earhart, pilotja që bëri të pasionoheshin pas saj miliona njerëz. Agatha Christie-n, mendja krijuese e mbi 80 romaneve dhe tregimeve, me më se dy miliardë kopje të shitura. Golda Meir-in, e konsideruar si “pasionarja e sionizmit” dhe Margaret Thatcher-in, Zonja e Hekurt.
Sipas autores Chiara Pasqualetti Johnson, përzgjedhja e personazheve (mes qindra grave që ndikuan në rrjedhën e kohës) ka qenë një sfidë e vështirë, por me arritjet dhe shembullin e tyre, këto gra, pa dyshim, kanë frymëzuar ndër vite gjenerata të tëra. - Ornela Islami