Pegi

Ditari i një trupi

€15,00

Daniel PENNAC

Ky roman nuk është si romanet e tjera, ai merr formën e ditarit të një njeriu të vetëm, përshkon gjithë jetën e tij, nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 87 vjeçare, por nuk rrëfen detajet biografike më themelore.

Ai përqendrohet te trupi i rrëfimtarit: trupi i tij fizik, dhe jo personaliteti që e mbush atë, është heroi dhe subjekti i këtij libri. Qëllimi i rrëfimtarit ishte të vërente dhe të regjistronte të papriturat e shumta me të cilat na përball trupi ynë.

Kështu, ai arriti të përshkruante gjithë evoluimin e organizmit të tij, por jo nga një pikëpamje mjekësore apo anatomike, por në mënyrë intime, duke përfshirë në çdo faqe personazhe, situata, dialogë dhe mendime që na e bëjnë këtë trup të ngjashëm me tonin.

Ne që ndihemi ndonjëherë kaq të vetmuar në trupin tonë, zbulojmë pak nga pak që ky kopsht sekret, në të vërtetë, është një truall i përbashkët. Gjithçka që fshehim është shkruar këtu, e zezë në të bardhë, dhe ajo që shpesh na frikësonte, tashmë kthehet në hare.

Nga libri

E enjte, 10 janar 1974 – 50 vjeç e 3 muaj

Nëse do të më duhej ta botoja këtë ditar, do t'ua kushtoja së pari grave. Si këmbim, do të doja të lexoja ditarin që një grua do të kishte mbajtur për trupin e saj. Sa për të parë pak më qartë në misterin femëror.

Ku qëndron ky mister? Në faktin, për shembull, se një burrë nuk di asgjë për atë çka ndien një grua lidhur me formën dhe peshën e gjinjve, dhe se gratë nuk dinë asgjë për atë çka ndiejnë burrat lidhur me telashet që u nxjerr penisi.

E diel, 26 korrik 2010 – 86 vjeç, 9 muaj e 16 ditë

Ne jemi deri në fund fëmija e trupit tonë. Një fëmijë që ka humbur pusullën.